Policia Pyjore ka konfiskuar 734 metra kub dru dhe ka ngritur 147 kallëzime kundërvajtëse dhe penale gjatë aksioneve të intensifikuara kundër prerjeve ilegale, transportit dhe tregtisë së drurit me origjinë të paligjshme, të zhvilluara gjatë muajit tetor, përcjell TV21. Nga sasia e konfiskuar, 288 metra kub janë dru lisi, 274 metra kub dru ahu, 51 metra kub dru i përzier dhe 121 metra kub dru teknik, përkatësisht trungje.
Gjatë aksioneve janë sekuestruar përkohësisht edhe 11 automjete transportuese, 15 vetura, tetë traktorë, 13 rimorkio dhe 18 sharra motorike.
Autoritetet kanë dorëzuar 122 kallëzime kundërvajtëse në gjykatat kompetente dhe 25 kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, ka paralajmëruar se kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë dhe se përgjegjësi do të kërkohet si nga personat që presin ilegalisht pyjet, ashtu edhe nga ata që rishesin drurin e përfituar në mënyrë të paligjshme.
“Nga prerjet ilegale të pyjeve përfitojnë individë, ndërsa dëmin e pësojnë të gjithë qytetarët. Pyjet janë pasuri e përbashkët dhe obligimi ynë është t’i mbrojmë”, ka deklaruar Serafimovski.



