Ndërprerje masive në shërbimet e Microsoft, Outlook dhe Teams jashtë funksionit për disa orë

TË FUNDIT

Shërbimet e gjigantit teknologjik “Microsoft”, përfshirë “Outlook” dhe “Teams”, dje u ndërprenë për rreth dhjetë orë, duke shkaktuar probleme për kompani dhe institucione shtetërore në mbarë botën.

Problemet prekën funksionet e paketës “Microsoft 365”, të cilat varen nga platforma “Exchange Online”. Sipas faqes “Downdetector”, vetëm në SHBA u regjistruan mbi 130 mijë raportime për probleme me “Outlook”.

Ndërprerje u raportuan edhe në Indi, Australi dhe Japoni, ndërsa mes organizatave të prekura ishin shërbimi australian i inteligjencës dhe policia federale, si dhe Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan.

Ministri australian i Punëve të Brendshme dhe Sigurisë Kibernetike, Tony Burke, tha se sipas vlerësimit të Microsoft-it, nuk bëhet fjalë për sulm kibernetik, por për një problem teknik, të ngjashëm me defektin e kompanisë “CrowdStrike” në vitin 2024.

Microsoft njoftoi se disa serverë ishin bërë papritur të paarritshëm dhe se po punonte për rikthimin e shërbimeve përmes serverëve alternativë. Problemet prekën edhe kompanitë teknologjike “OpenAI” dhe “Anthropic”, të cilat patën vështirësi në lidhjen e shërbimeve të tyre me sistemet e Microsoft-it.