Drejtori i “Nvidia” pranon tradhtinë, e dashura e tij dyshohet se është spiune kineze

TË FUNDIT

Gjiganti amerikan i teknologjisë, “Nvidia”, ka nisur një hetim të pavarur pas zbulimeve se themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë, Jensen Huang, kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me një biznesmene kineze, për të cilën shërbimet amerikane të inteligjencës dyshojnë se mblidhte informacione për Pekinin.

Huang ka pranuar publikisht se ka tradhtuar bashkëshorten e tij dhe i ka kërkuar falje familjes, kolegëve dhe punonjësve të kompanisë, duke marrë përgjegjësinë e plotë për veprimet e tij.

Në qendër të skandalit është biznesmenja kineze Alice Huang, ish-drejtoreshë në kompaninë “Megaspeed”, me seli në Singapor, e cila blen çipa të avancuar për inteligjencë artificiale nga “Nvidia”.

Sipas mediave amerikane, shërbimet e inteligjencës kanë siguruar informacione se biznesmenja mund të jetë angazhuar nga autoritetet kineze për të krijuar kontakte të afërta me drejtuesin e “Nvidia”-s dhe për të mbledhur informacione me rëndësi strategjike.

Rasti ka shkaktuar shqetësim në SHBA, për shkak të rolit kyç të “Nvidia”-s në zhvillimin e inteligjencës artificiale, si dhe kufizimeve që Uashingtoni ka vendosur për eksportin e çipave më të avancuar amerikanë drejt Kinës.

Nga kompania njoftuan se një komision i pavarur, me ndihmën e këshilltarëve të jashtëm ligjorë, do të shqyrtojë të gjitha informacionet në dispozicion. Njëkohësisht, theksuan se për momentin nuk kanë arsye të besojnë se është rrezikuar siguria kombëtare amerikane apo sekretet afariste të “Nvidia”-s.

Autoritetet kineze i hodhën poshtë si të pabazuara akuzat për spiunazh, ndërsa Huang paralajmëroi se do të bashkëpunojë plotësisht me hetimin dhe do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e drejtorit ekzekutiv.

Deri më tani, nuk ka konfirmim se përmes kësaj lidhjeje janë zbuluar informacione konfidenciale apo se biznesmenja ka zhvilluar vërtet një operacion spiunazhi.