Qeveria është e fokusuar te zgjidhjet dhe jo te zgjedhjet e parakohshme. Kështu ka deklaruar bashkëkryetari i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, duke u përgjigjur pyetjeve rreth mundësisë së zgjedhjeve të reja. Në një prononcim për media, Mexhiti ka komentuar edhe përplasjet mes partive qeveritare pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 1 nëntorit në Bërvenicë, ku VMRO-DPMNE akuzoi VLEN-in se ka luajtur rolin e “kalit të Trojës” duke mos mbështetur kandidatin e tyre. Mexhiti ka theksuar se Bërvenica tashmë ka një kryetar të ri dhe se ky kapitull duhet të lihet pas.
“Jemi dakorduar që jemi fokusuar dhe dakorduar për zgjidhje, për punë, për realizim projektesh dhe jo zgjedhje. U mbyll Bërvenica, domethënë kanë qenë zgjedhje të jashtëzakonshme për Bërvenicë, kjo ka zgjatur kështu… të gjitha zgjedhjet kanë qenë publike. Edhe mendoj që edhe nga zëvendëskryeministri, edhe nga partneri ynë, edhe ne, domethënë e kemi lënë mbrapa Bërvenicën. Bërvenica duhet të punojë në interes të qytetarëve, e ka përkrahjen e qeverisë. Qeveria ka mjaft punë të tjera për të cilat e ka fokusin dhe angazhimin”, tha Izet Mexhiti, bashkëkryetar i VLEN.
Sa i përket emërimeve në eshalonin e dytë dhe të tretë, Mexhiti bëri të ditur se pas përfundimit të fazës së parë, tashmë po bëhet evaluimi i punës së funksionarëve ekzistues.
“Pjesërisht të fokusuar te eshaloni i parë, te eshaloni i dytë, po, po bëhet evaluimi, puna e funksionarëve dhe në varësi prej asaj, të gjitha subjektet, domethënë në fund të dimë, tek përfundimi, te zëvendësministrat, drejtorët e kështu me radhë”, theksoi Mexhiti.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si do të rrjedhë procesi i vlerësimit të zyrtarëve në eshalonin e dytë dhe të tretë, një çështje që pritet të sjellë lëvizje të reja brenda strukturave qeveritare gjatë periudhës në vijim.
