Komuna e Gazi Babës organizon kontrolle falas të syve për të gjithë nxënësit e shkollave fillore

TË FUNDIT

Komuna e Gazi Babës ka nisur realizimin e një projekti për kontrolle falas oftalmologjike për të gjithë nxënësit në shkollat fillore komunale. Sipas njoftimit të komunës, Gazi Baba është komuna e parë në Maqedoninë e Veriut që organizon një shërbim të tillë për të gjithë nxënësit e shkollave të saj.

Aktivitetet e para kanë nisur në shkollën fillore “Krum Toshev” në Trubarevë, ndërsa në ditët në vijim kontrollet do të vazhdojnë edhe në shkollat e tjera në territorin e komunës.

Kryetari i komunës, Boban Stefkovski, tha se qëllimi i projektit është zbulimi në kohë i problemeve të mundshme me shikimin, pasi ato mund të ndikojnë në mësimin, përqendrimin dhe zhvillimin e fëmijëve.

Ai falënderoi klinikat Promedika dhe Sistina Oftalmologjia për mbështetjen në realizimin e projektit.

Nga komuna bëjnë të ditur se në rastet kur gjatë kontrolleve evidentohen probleme me shikimin, fëmijët do të udhëzohen për ekzaminime të mëtejshme oftalmologjike.

Projekti synon parandalimin dhe zbulimin e hershëm të problemeve me shikimin, si dhe krijimin e kushteve më të mira për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.