Prej nesër, ALTA Banka nis pagesat në sportele për klientët pa kartela bankare

TË FUNDIT

Nga nesër, 5 nëntor, qytetarët që kanë llogari pagesore në ALTA Bank SHA Manastir, por nuk kanë kartela bankare, do të mund t’i tërheqin paratë e tyre në sportelet e degës kryesore të bankës në Manastir, njofton Banka Popullore, përcjell TV21. Për këtë qëllim, do të hapen disa sportele në adresën rruga “Dobrivoje Radosavleviq” nr. 21, të dedikuara për pagesa në para të gatshme, veçanërisht për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale që i marrin mjetet përmes llogarive në këtë bankë.

Qytetarët do të mund të tërheqin maksimumi 20.000 denarë, aq sa është shuma maksimale e lejuar për tërheqje gjatë një periudhe dyjavore.

Nga 6 nëntori, përfshirë edhe të shtunën, më 7 nëntor, dega do të punojë në dy turne, me qëllim që të shërbejë sa më shumë klientë. Pagesat do të realizohen gjatë disa ditëve, sipas një orari të përcaktuar paraprakisht. Qytetarët do të marrin mesazh SMS me informacionin për ditën dhe orën kur duhet të paraqiten në degë.

Banka Popullore u bën thirrje qytetarëve që t’u përmbahen termineve të caktuara dhe të mos paraqiten në degë para orarit të përcaktuar ose në ditët kur nuk janë thirrur, me qëllim që të shmangen tollovitë dhe pritjet e gjata.

Për ata që nuk do të mund të paraqiten në terminin e caktuar, do të sigurohen termine shtesë. Sportelet do të shërbejnë ekskluzivisht për tërheqjen e parave të gatshme dhe nuk do të kryhen lloje të tjera transaksionesh.

Ndërkohë, janë duke u zhvilluar përgatitjet për hapjen e sporteleve për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale edhe në qytete të tjera të vendit, për të cilat Banka Popullore do të informojë në vazhdimësi.