Një i arrestuar dhe dy të ndaluar pas përleshjes së tifozëve në Shkup, një 16-vjeçar i lënduar rëndë

TË FUNDIT

Policia ka zbardhur dhunën e djeshme para Qendrës Sportive “Jane Sandanski” në Shkup, ku tifozë të grupit “Family” sulmuan fizikisht tifozë të KB “Rabotniçki”, të cilët po prisnin të hynin në ndeshjen e basketbollit, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth 30 anëtarë të grupit “Family” kanë sulmuar afërsisht 50 tifozë të “Rabotniçkit”. Gjatë incidentit, një 16-vjeçar nga Shkupi ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Për rastin, SPB Shkup ka ngritur kallëzim penal për veprën penale “Dhunë”, sipas nenit 386, paragrafët 4 dhe 6 të Kodit Penal, kundër personit me inicialet P.A., i cili është privuar nga liria.

“Me udhëzime të prokurorit publik të PTHP Shkup, lidhur me ngjarjen është ngritur kallëzim penal me procedurë të shpejtë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ndërkohë, në stacion policor janë ndaluar edhe dy persona të tjerë, M.M. (18) dhe D.P. (18), të dy nga Shkupi.

Nga MPB bëjnë të ditur se po vazhdojnë të thërrasin edhe persona të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunë, ndaj të cilëve do të ndërmerren masa përkatëse.