Klekovski dhe Memishoglu nënshkruan memorandum bashkëpunimi në shëndetësi mes Maqedonisë dhe Turqisë

TË FUNDIT

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, mbrëmë, në margjinat e Kongresit të 12-të Botëror të Mjekësisë Turke në Stamboll, zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Turqisë, prof. dr. Kemal Memishoglu.

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se gjatë takimit u shqyrtuan marrëdhëniet bilaterale dhe u theksua miqësia mes dy shteteve.

Pas takimit, të dy ministrat nënshkruan një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, i cili do të shërbejë si bazë për aktivitete konkrete të përbashkëta mes dy ministrive dhe institucioneve të tyre shëndetësore. Në konkretizimin e bashkëpunimit do të përfshihet edhe agjencia shtetërore turke për shërbime ndërkombëtare shëndetësore, USHAŞ.

Si fusha të bashkëpunimit të ardhshëm, ministri Klekovski veçoi shëndetësinë digjitale, shkëmbimin profesional dhe edukimin e specialistëve, si dhe bashkëpunimin në fushën e barnave dhe vaksinave.

“Turqia është mike e sinqertë e Maqedonisë dhe këtë e dëshmoi edhe në momentet më të vështira, pas tragjedisë në Koçan. Memorandumi na jep një kornizë për t’i shndërruar marrëdhëniet e mira në projekte konkrete – nga shëndetësia digjitale, përmes edukimit të specialistëve, deri te barnat dhe vaksinat”, deklaroi Klekovski.

Ai gjithashtu falënderoi Republikën e Turqisë për ndihmën dhe solidaritetin e treguar pas tragjedisë në Koçan.