Shasivari paralajmëron digjitalizimin e procedurave noteriale dhe ndryshime në legjislacion

TË FUNDIT

Përmirësimi i legjislacionit në fushën e noterisë, harmonizimi i tij me standardet bashkëkohore dhe digjitalizimi i procedurave dhe shërbimeve janë disa nga ndryshimet që paralajmëroi sot ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.

Ai i bëri këto deklarata në hapjen e manifestimit “Ditët e Noterisë 2026”, të organizuar nga Oda e Noterëve.

Duke folur për temën “Trajtimi i trashëgimisë: mes kornizës ligjore dhe praktikës noteriale”, Shasivari theksoi se digjitalizimi duhet të mundësojë procedura më të shpejta, më pak pengesa administrative, shpenzime më të ulëta, transparencë më të madhe dhe qasje më të lehtë të qytetarëve në shërbimet juridike.

Ai theksoi rëndësinë e noterisë si një nga shtyllat e sistemit juridik dhe garantues i sigurisë juridike të qytetarëve, duke vënë në dukje se puna e noterëve ndikon drejtpërdrejt në mbrojtjen e të drejtave pronësore, marrëdhënieve familjare dhe sigurisë së transaksioneve juridike.

Sipas Shasivarit, besimi i qytetarëve është kapitali më i madh i institucioneve, ndërsa profesioni i noterit, përveç ekspertizës juridike, kërkon integritet, pavarësi, etikë profesionale dhe nivel të lartë përgjegjësie.

Ministri bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë, në kuadër të reformave të ardhshme dhe procesit të integrimit evropian, do t’i kushtojë vëmendje të veçantë përmirësimit të legjislacionit në këtë fushë.

Ai theksoi se Oda e Noterëve do të jetë partnere e rëndësishme dhe e barabartë e Ministrisë në këtë proces, pasi reformat e qëndrueshme nuk realizohen vetëm përmes ndryshimeve ligjore, por edhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me profesionistët që i zbatojnë ligjet çdo ditë në praktikë.

Shasivari shprehu shpresën se “Ditët e Noterisë 2026” do të mundësojnë diskutime përmbajtjesore, shkëmbim përvojash dhe propozime konkrete për zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të noterisë në vend.

“Siguria juridike e ndërton besimin, profesionalizmi e mbron atë, ndërsa përgjegjësia e bën drejtësinë të prekshme për çdo qytetar”, theksoi ministri Shasivari.