Inspektorati i Qytetit të Shkupit ka zhvilluar dje një aksion të koordinuar inspektues në disa lokacione të kryeqytetit, me ç’rast janë larguar shitësit ilegalë ambulantë në zonën pranë Qendrës Klinike, Tregut të Gjelbër dhe Bunjakovecit, përcjell TV21. Aksioni është realizuar në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, si dhe Inspektoratin e Komunës Qendër.
Nga Qyteti i Shkupit bëjnë të ditur se qëllimi i kontrolleve është vendosja e rendit komunal, parandalimi i tregtisë ilegale, mbrojtja e hapësirave publike dhe krijimi i kushteve të barabarta për të gjithë tregtarët që veprojnë në përputhje me ligjin.
“Nuk do të lejojmë uzurpimin e hapësirave publike dhe përdorimin e tyre për shitje ilegale”, porosisin nga Qyteti i Shkupit.
Nga atje paralajmërojnë se kontrollet inspektuese dhe aksionet e koordinuara do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim ruajtjen e rendit komunal dhe respektimin e ligjeve në të gjithë territorin e qytetit.
