Turqia ka propozuar kandidaturën e Feridun Sinirlioglu, sekretarit të përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), për postin e sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), njoftoi agjencia Anadolu, duke iu referuar burimeve nga Ministria e Jashtme turke.
Në letrën e dërguar dje presidentëve të Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në OKB, Ahmet Yildiz, bëri të ditur nominimin e propozuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan.
Procedura është në përputhje me Kartën e OKB-së dhe rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme.
Sipas burimeve të cituara, vendimi është marrë pasi procesi i zgjedhjes së sekretarit të ri të përgjithshëm ka ngecur. Votimi i fundit jozyrtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i mbajtur dje, përfundoi pa një rezultat përfundimtar.
Pas raundit të shtatë të votimit jozyrtar, Rebecca Grynspan, ish-zëvendëspresidente e Kosta Rikës, sërish u rendit e para.
Në këtë votim të fshehtë, 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit vlerësuan në mënyrë anonime secilin kandidat me njërën nga tri alternativat: “inkurajon”, “dekurajon” ose “nuk ka opinion”.
Ndryshe nga votimi paraprak, këtë herë fletëvotimet e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit – SHBA-së, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Rusisë dhe Kinës – nuk u dalluan përmes ngjyrave të ndryshme.
Asnjëri nga shtatë kandidatët që deri më tani kanë qenë në garë nuk ka arritur të shmangë një votë negative nga të paktën njëra prej pesë fuqive me të drejtë vetoje: SHBA-së, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Rusisë dhe Kinës.
Pasi të arrihet konsensusi, emri i kandidatit të përzgjedhur do t’i propozohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila në praktikë ndjek rekomandimin e Këshillit të Sigurimit.
