Protesta masive në Itali, mijëra qytetarë dalin në rrugë

TË FUNDIT

Dhjetëra mijëra persona, kryesisht studentë dhe punonjës, dolën në rrugët e Italisë këtë të premte në një valë protestash kundër rritjes së kostos së jetesës, pagave të ulëta dhe shërbimeve të dobëta publike.

Protestuesit kundërshtuan gjithashtu rritjen e shpenzimeve ushtarake.

Sindikatat bazë shpallën një grevë të përgjithshme 24-orëshe, ndërsa demonstratat u organizuan në më shumë se 40 qytete të vendit.

Protestat ishin kryesisht paqësore, megjithëse në disa zona pati përplasje me policinë.

Në Torino, efektivët përdorën autobotët me ujë për të shpërndarë studentët dhe aktivistët e majtë që iu afruan kordonëve të sigurisë pranë ndërtesës së prefekturës.

Në Romë, një marshim i madh kaloi pranë Koloseut, ku protestuesit paralajmëruan se do të qëndronin me çadra gjatë fundjavës. Në mbrëmje, policia përdori sërish autobotët me ujë për të shpërndarë një grup që tentoi të marshonte drejt parlamentit. Tetë persona u ndaluan.

Ndërkohë, në Milano, demonstruesit bllokuan një pjesë të unazës rrugore të qytetit.

Në Gjenova, rreth 15 mijë punonjës portualë, studentë dhe aktivistë hynë në port, duke kundërshtuar përdorimin e tij për transportin e armëve.