Enti Shtetëror i Revizionit me vlerësim pozitiv për shpërndarjen e 250 milionë eurove nga kredia hungareze për kompanitë. Revizioni ka treguar se pjesa më e madhe, ose mbi 100 milionë euro, është orientuar drejt veprimtarisë së prodhimit. Sipas destinimit të investimeve, më së shumti është investuar në objekte ndërtimore dhe pajisje.
“Shpërndarja sipas veprimtarive tregon një karakter të theksuar zhvillimor, ku fokusi kryesor është vendosur te prodhimi vendor, me 281 projekte të miratuara në vlerë prej 6.292.415 mijë denarësh, përkatësisht plot 44% të shumës së përgjithshme të kredisë. Sektori i tregtisë ka përfituar 3.499.227 mijë denarë përmes 194 projekteve, përkatësisht 25% të mjeteve; transporti merr pjesë me 129 projekte në vlerë prej 1.451.457 mijë denarësh, përkatësisht 10% të mjeteve; ndërtimtaria me 63 projekte në vlerë prej 988.498 mijë denarësh, përkatësisht 7% të mjeteve; ndërsa hoteleria dhe gastronomia me 37 projekte në vlerë prej 852.327 mijë denarësh, përkatësisht 6% të mjeteve”, njoftojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Edhe pse projektet më të shumta i kanë përfituar kompanitë e vogla, pjesa më e madhe e parave nga kjo shumë u takon kompanive të mëdha.
“Në strukturën e 767 projekteve të miratuara, me vlerë të përgjithshme prej 14.256.936 mijë denarësh, ndërmarrjet e vogla kryesojnë për nga numri, me 455 projekte të miratuara (59% e pjesëmarrjes), në vlerë prej 3.565.574 mijë denarësh (25% pjesëmarrje financiare). E analizuar nga aspekti i vlerës, pjesa më e madhe e mjeteve të miratuara është e përqendruar te subjektet e mëdha, ku për realizimin e 94 projekteve (12% e numrit të përgjithshëm të projekteve) janë miratuar kredi në vlerë prej 4.720.384 mijë denarësh, që përbën 33% të pjesëmarrjes në vlerën e përgjithshme”, njoftojnë më tej nga EShR-ja.
Revizioni ka përfshirë kontrollin e 123 projekteve zhvillimore, me vlerë prej rreth 119,3 milionë eurosh, të cilat, sipas tyre, përbëjnë 52% të mjeteve të përgjithshme të tërhequra deri në shkurt të vitit 2026. Në raport thuhet se, bazuar në dëshmitë e siguruara, është marrë siguri e arsyeshme për dhënien e një konkluzioni pozitiv se aktivitetet e Bankës Zhvillimore janë në përputhje, në të gjitha aspektet materiale, me legjislacionin përkatës të zbatueshëm dhe aktet nënligjore, aktet e brendshme dhe kontratat.
