Pasditen e sotme pritet të bëhet e ditur se kush do të jetë kryeprokurori i ri i Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa në këto momente pritet të mbyllen vendvotimet. Të drejtë vote kanë 187 prokurorë, ndërsa në garën për drejtimin e kësaj prokurorie janë Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski. Për kryeprokurorin e ri të Prokurorisë votoi edhe kryeprokurori i shtetit, Nenad Saveski, të pesë kandidatët janë profesionistë të dëshmuar.
“Bëhet fjalë për pesë kandidatë, për të cilët vërtet mund të them se të gjithë janë profesionistë të dëshmuar. Cilido që të zgjidhet, nuk do të jetë zgjedhje e gabuar. Përkundrazi, të gjithë kanë kapacitetet e tyre profesionale, për të cilat besoj se secili prej tyre, në mënyrë të barabartë, do të jetë në gjendje t’i përgjigjet detyrës që e pret kryeprokurorin e ardhshëm“, tha Nenad Saveski
