Izraeli sot zgjedh qeverinë e re, Netanyahu dhe Eisenkot përballen me rezultat të pasigurt

TË FUNDIT

Qytetarët izraelitë sot po votojnë në zgjedhjet që shumëkush i konsideron ndër më të rëndësishmet në historinë e vendit. Sipas mediave, rreth 70.000 izraelitë kanë udhëtuar nga jashtë për të votuar, ndërsa rreth gjysmë milioni qytetarë do ta ushtrojnë për herë të parë të drejtën e votës.

Sondazhet e opinionit publik, të publikuara të premten, tregojnë një garë pothuajse të barabartë mes kryeministrit aktual Benjamin Netanyahu dhe ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gadi Eisenkot.

Megjithatë, sipas projeksioneve, asnjëri prej blloqeve politike nuk pritet të sigurojë 61 vende në parlament, numri i nevojshëm për formimin e shumicës parlamentare. Kjo do të thotë se pas zgjedhjeve mund të pasojnë disa javë, madje edhe muaj negociatash për formimin e qeverisë së re, shkruan BBC.

Sistemi proporcional zgjedhor në Izrael nënkupton formimin e qeverive të koalicionit, ndërsa aleancat politike shpesh mund të sjellin rezultate të papritura. Zgjedhjet e këtij viti janë veçanërisht të pasigurta, pasi disa parti kanë vendosur tashmë kushte të qarta për bashkëpunim të mundshëm.

Eisenkot, i cili udhëheq partinë e sapoformuar “Jashar”, është figura kryesore e të ashtuquajturit „blloku i ndryshimit“. Ky bllok bashkon parti me orientime të ndryshme ideologjike, por me një qëllim të përbashkët – largimin e Netanyahut nga pushteti.

Në mesin e liderëve të këtij blloku janë ish-kryeministri Naftali Bennett dhe Avigdor Lieberman, dy politikanë të djathtë me qëndrime të forta për sigurinë, si dhe Yair Golan, ish-gjeneral që i përket spektrit politik të majtë.

Për Netanyahun, i cili për herë të parë u bë kryeministër në vitin 1996, vazhdimi i qëndrimit në pushtet do të varet nga ruajtja e bashkëpunimit me partitë e së djathtës ekstreme dhe ato ultraortodokse, të cilat përbëjnë koalicionin aktual qeverisës – më të djathtin në historinë e Izraelit.

Në zgjedhje marrin pjesë edhe dy blloqe të partive arabe. Rreth një e pesta e popullsisë së Izraelit janë arabë, shumë prej të cilëve identifikohen si qytetarë palestinezë të Izraelit.

Partitë e tyre teorikisht mund të luajnë rol vendimtar në formimin e qeverisë së re, por pothuajse të gjitha partitë kryesore hebraike e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me to.