Nga e enjtja, dokumentet personale në telefon! Nis zbatimi i portofolit elektronik në Maqedoninë e Veriut

TË FUNDIT

Nga kjo e enjte, qytetarët në Maqedoninë e Veriut do të mund të kenë letërnjoftimin dhe patentë-shoferin në telefonin e tyre celular, përmes portofolit elektronik. Aplikacioni do të promovohet zyrtarisht të mërkurën, më 28 tetor, ndërsa autoritetet premtojnë mbrojtje të të dhënave personale dhe më shumë kontroll për përdoruesit.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, thotë se aplikacioni është projektuar për të garantuar sigurinë e të dhënave, duke u mundësuar qytetarëve të zgjedhin se cilat informacione dëshirojnë të ndajnë.

Sipas tij, ndryshe nga dokumentet fizike, të cilat përmbajnë të gjitha të dhënat personale, portofoli elektronik do t’u mundësojë qytetarëve të zbulojnë vetëm informacionet e nevojshme, për shembull gjatë identifikimit në bankë, lokal apo ambiente të tjera.

Të dhënat do të ndahen përmes një kodi QR, i cili mund të përdoret vetëm një herë. Pasi të skanohet, informacioni do t’i përcillet personit tjetër vetëm me lejen e përdoruesit, ndërsa kodi do të skadojë pas 10 deri në 15 sekondash dhe nuk do të mund të ripërdoret.

“Shumë vëmendje i kemi kushtuar sigurisë”, deklaroi Andonovski, duke theksuar se ky është vetëm fillimi i një procesi më të gjerë të digjitalizimit të dokumenteve.

Sipas ministrit, portofoli elektronik përbën një hap drejt krijimit të portofolit digjital evropian. Ai paralajmëroi se në të ardhmen pritet të shtohen shërbime, mundësi dhe dokumente të tjera, me qëllim që qytetarët të kenë gjithnjë e më shumë shërbime publike të qasshme në mënyrë digjitale.

Andonovski i bëri këto deklarata para fillimit të panel-diskutimit “Parakushtet dhe sfidat për digjitalizimin e përshpejtuar të sektorit privat”, të mbajtur në hapësirat e INOFEIT EDIH në Shkup.