Shiti miliona etiketa postare të falsifikuara, kapet personi që dshohet se i shkaktoi SHBA-së 126 milionë dollarë dëm

TË FUNDIT

Autoritetet pakistaneze kanë arrestuar një burrë të dyshuar se drejtonte një faqe interneti përmes së cilës shiteshin etiketa të falsifikuara postare, duke i shkaktuar, sipas prokurorisë amerikane, Shërbimit Postar të SHBA-së dëme prej mbi 126 milionë dollarësh, përcjell TV21. Fahim Akram, 33 vjeç, u arrestua të martën pas një kërkimi disa-javor, gjatë të cilit u kryen bastisje në disa lokacione në vend, njoftoi Agjencia Kombëtare Pakistaneze për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

Akram, i cili jeton në qytetin Khanewal, në provincën lindore Punjab, u akuzua në shtator nga juria e madhe federale e Distriktit Jugor të Floridës. Sipas prokurorisë amerikane, ai drejtonte faqen e paautorizuar të internetit “LabelsBank.com”, përmes së cilës u janë shitur më shumë se 5.1 milionë etiketa postare të falsifikuara mbi 5.200 klientëve.

Etiketat shiteshin zakonisht për vetëm dy dollarë, pavarësisht nga pesha, madhësia apo destinacioni i dërgesës. Ato u mundësonin klientëve të dërgonin pako me çmime dukshëm më të ulëta se tarifat e rregullta postare.

Dëmi i vlerësuar në mbi 126 milionë dollarë i referohet humbjeve të pretenduara të Shërbimit Postar të SHBA-së dhe jo të ardhurave nga shitjet përmes faqes së internetit, thekson prokuroria amerikane.

Sipas hetuesve pakistanezë, Akram e drejtoi faqen nga gushti i vitit 2023 deri në shtator të vitit 2026, duke përdorur 16 llogari bankare, përfshirë edhe llogaritë e vëllait, bashkëshortes, motrës dhe tezes së tij. Deri më tani, nuk dihet nëse Akram do të ekstradohet në SHBA apo do të gjykohet në Pakistan.