Kompania hapësinore SpaceX e Elon Musk dhe kompania e teknologjisë së inteligjencës artificiale Anthropic kanë njoftuar donacione të mëdha në formën e aksioneve të tyre, në një kohë kur gjigantët e teknologjisë po përballen me presion në rritje për pasojat e mundshme të inteligjencës artificiale për njerëzimin.
Musk njoftoi se vitin e ardhshëm do t’i dhurojë nga një aksion të SpaceX-it çdo fëmije në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SpaceX është kompania hapësinore që zotëron edhe kompaninë e inteligjencës artificiale xAI.
Njoftimi i miliarderit erdhi pasi Anthropic bëri të ditur se do të ndajë pesë për qind të aksioneve të saj për një fond që do të financojë donacione në shërbim të së mirës së përgjithshme.
Në qershor, SpaceX vendosi rekord me ofertën fillestare publike të aksioneve (IPO), duke mbledhur 85,7 miliardë dollarë.
Këto njoftime vijnë në një periudhë kur industria e inteligjencës artificiale po përballet me mbikëqyrje më të rreptë për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë dhe pasojat që zhvillimi i kësaj teknologjie mund të ketë për shoqërinë dhe vendet e punës.
Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura detajet se si do të realizohet dhurimi i aksioneve të SpaceX-it për çdo fëmijë në SHBA.
“Vitin e ardhshëm, do t’i jap nga një aksion timin të SpaceX-it çdo fëmije në SHBA. Ky do të jetë i pari nga shumë të tillë”, shkroi Musk në rrjetet sociale.

