Macron thotë se nëse është e nevojshme, protestat do të ndalohen!

TË FUNDIT

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi mbrëmë se protestat mund të ndalohen nëse është e nevojshme, pas trazirave të dhunshme në Francë.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale, prefektët do të marrin vendime në koordinim me kryetarët e komunave për të mbrojtur qytetet tona, ndërtesat publike dhe dyqanet. Nëse është e nevojshme, do të shkohet deri në ndalimin e tubimeve të caktuara dhe marrjen e masave të nevojshme”, tha presidenti francez në një adresim televiziv.

Macron tha se edhe puna e policisë do të shqyrtohet dhe kërkoi nga ministri i Brendshëm të merret me këtë çështje.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz protestuan të shtunën në Francë kundër kostos së lartë të jetesës.

Në shumë qytete pati grabitje, zjarrvënie dhe dëme materiale, ndërsa protestues të maskuar sulmuan bashkitë, stacionet policore dhe ndërtesat qeveritare.

“Dje, pavarësisht profesionalizmit të tyre, policët tanë u përballën me dhunë të paparë në shumë qytete”, tha Macron.

Ai shtoi se i ka kërkuar sërish qeverisë të nxjerrë mësime nga këto ngjarje, në mënyrë që ato të mos përsëriten.

“Pres përgjigje të qarta dhe gjithçka do të jetë plotësisht transparente”, theksoi Macron.

“Çdokush që është përpjekur ta rrëzojë Republikën do të mbajë përgjegjësi”, përfundoi presidenti francez./EPA