Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, e cilësoi protestën e studentëve si më të fuqishmen që nga dhjetori i vitit 1990, duke pretenduar se në grevë janë përfshirë universitetet në mbarë vendin dhe se protestave u janë bashkuar edhe mijëra gjimnazistë. Nga selia e PD-së, Berisha u bëri thirrje nxënësve, studentëve dhe pedagogëve të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestës, me qëllim, siç tha ai, mbrojtjen e së ardhmes së tyre. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për varfëri, korrupsion dhe largimin e qytetarëve nga vendi, ndërsa dënoi atë që e cilësoi dhunë ndaj protestuesve.
