“Nuk ka rast shëndetësor“ – Klekovski vë në dyshim pretendimet mjekësore të Iva Mihaillovës

TË FUNDIT

Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, arratisja e Iva Mihaillovës në Bullgari lidhet me ardhjen e konsiliumit mjekësor bullgar në Maqedoni, i cili, sipas tij, do të duhej të verifikonte pretendimet e saj së bashku me mjekët maqedonas. Klekovski thotë se do të udhëtoj në Sofje dhe do të bisedojë me Ministrinë e tyre për këtë çështje, sepse, në thelb, aty nuk ka një rast shëndetësor. Ndërkohë, kundër Iva Mihailovës po zhvillohet një proces gjyqësor në Gjykatën e Koçanit lidhur me një aksident trafiku me pasoja fatale.

“Arratisja ndodhi për shkak të ardhjes së konsiliumit bullgar këtu. Ai duhej që, së bashku me mjekët maqedonas, të verifikonte pretendimet e personit në fjalë. Mendoj se atëherë do të dilte në pah se si qëndrojnë realisht gjërat. Unë do të udhëtoj në Sofje dhe, natyrisht, do të bisedoj me Ministrinë e tyre për këtë çështje, sepse, në thelb, aty nuk ka një rast shëndetësor”, tha Klekovski.