FIFA zhvillon sistem të ri për zëvendësimet

TË FUNDIT

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka nisur një projekt për krijimin e një sistemi të ri digjital për menaxhimin e zëvendësimeve gjatë ndeshjeve. Një nga komponentët e tij do të jenë tabelat elektronike që do të shfaqin automatikisht numrat e lojtarëve që hyjnë dhe dalin nga fusha, përcjell TV21. Aktualisht, gjyqtari i katërt i vendos manualisht numrat e nevojshëm në tabelë. Në sistemin e ri, të dhënat do të transmetohen drejtpërdrejt nga programi që përdorin zyrtarët e ekipeve për të kryer zëvendësimet. Informacioni do t’u dërgohet tabelave elektronike, ndërsa numrat e lojtarëve do të shfaqen automatikisht, duke reduktuar veprimet manuale dhe përshpejtuar procesin.

FIFA synon që i gjithë procesi i zëvendësimit të kalojë në format elektronik – nga kërkesa e përfaqësuesit të ekipit, te regjistrimi nga zyrtarët e ndeshjes dhe shfaqja e numrave të lojtarëve në tabelë. Sistemi i ri nuk do ta ndryshojë rolin e gjyqtarëve. Gjyqtari i katërt do të vazhdojë ta mbikëqyrë procesin, ndërsa lojtari rezervë do të mund të hyjë në fushë vetëm pasi loja të jetë ndalur, lojtari që zëvendësohet të ketë dalë nga fusha dhe gjyqtari të ketë dhënë lejen.

Zhvillimi i këtij sistemi po bëhet në kuadër të Programit të Inovacionit të FIFA-s. Projektet më të mira më pas mund të testohen dhe të përdoren në turnetë nën organizimin e FIFA-s.