Përzgjedhësi i kombëtares argjentinase, Lionel Scaloni, foli për emocionet që përjetoi gjatë ndeshjes së lamtumirës së Lionel Messit, mbrëmë kundër Beninit, të cilën Argjentina e fitoi 3:0, përcjell TV21. 39-vjeçari argjentinas shënoi një gol dhe dhuroi dy asistime.
“Dita ishte shumë emocionuese, por në të njëjtën kohë edhe e trishtueshme, sepse ai nuk do ta veshë më këtë fanellë. Jemi pafundësisht mirënjohës për gjithçka që na ka dhënë, për mënyrën se si e ka mbrojtur këtë fanellë, si askush tjetër. Për mua, ishte një ëndërr ta stërvitja. Sot ia thashë këtë para të gjithëve, edhe pse mezi kisha forcë ta thoja. Mendoj se çdo argjentinas do të thoshte të njëjtën gjë. Ishte një ëndërr që pata mundësinë ta realizoja dhe në asnjë moment të jetës sime nuk mund ta imagjinoja se do të bëhesha trajner i futbollistit më të mirë në histori. Ai e meritonte gjithçka. Për 20 vjet ka qenë më i miri dhe ende është. Jemi pafundësisht mirënjohës për mundësinë që patëm të ishim pranë tij. Prandaj edhe qamë – sepse shumë gjëra më erdhën në mendje. Do të jetë shumë, shumë e trishtueshme të mos e shohim më, sepse ai na lë një trashëgimi të jashtëzakonshme. Të vazhdosh pa të, padyshim që do të jetë e vështirë. Ai vetë tha se ajo që kemi përjetuar gjatë viteve të fundit nuk është normale dhe se mund të vijnë momente të vështira. Jemi të përgatitur për t’u përballur me to. Kemi lojtarë të rinj që do të na japin shumë. Do të kërkojmë mjete të reja, zgjidhje të reja, sigurisht, por ajo ndjenjë nuk do të ekzistojë më. Mundësia për të shijuar lojën e tij ishte diçka e jashtëzakonshme. Tani do të duhet të vazhdojmë pa të, dhe do të vazhdojmë, sepse nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi Scaloni për “Olé”.
Me kombëtaren, Messi fitoi medaljen e artë në Kupën e Botës 2022 dhe medaljen e argjendtë në Botërorin 2026. Ai ka 208 paraqitje për Argjentinën, 126 gola dhe 69 asistime. Debutimin me kombëtaren e bëri në gusht të vitit 2005.
