Pezullohet përkohësisht vaksina “BCG” në Maqedoni, pas raportimeve për reaksione të padëshiruara në Kroaci

TË FUNDIT

Ministria e Shëndetësisë njofton se përkohësisht pezullohet imunizimi me vaksinën BCG, pas informacioneve të publikuara në mediat kroate për reaksione të padëshiruara nga kjo vaksinë, përcjell TV21. Komisioni për Imunizim ka kontaktuar MALMED-in për të marrë informacione mbi seritë e vaksinave që përdoren në vend, pasi bëhet fjalë për të njëjtin prodhues. Sipas Ministrisë, imunizimi me BCG është i detyrueshëm, pasi Maqedonia e Veriut konsiderohet vend me rrezik të lartë për tuberkuloz. Vendimi për pezullimin e përkohshëm do të mbetet në fuqi deri në marrjen e të dhënave të plota për seritë, cilësinë e vaksinës dhe lidhjen e mundshme me reaksionet e padëshiruara. Ministria thekson se gjatë 10 viteve të fundit, në MALMED është raportuar vetëm një rast i dyshuar për reaksion të padëshiruar nga vaksina BCG, në vitin 2022.

“Në lidhje me informacionet e publikuara në mediat kroate për reaksionet e padëshiruara nga vaksina BCG, Komisioni për Imunizim në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë u mblodh menjëherë. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për të njëjtin prodhues, menjëherë u kontaktua Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore (MALMED) dhe u kërkuan informacione lidhur me seritë e vaksinave që përdoren në vendin tonë. Theksojmë se imunizimi me këtë vaksinë në vendin tonë është i detyrueshëm, duke pasur parasysh se vendi konsiderohet me rrezik të lartë për tuberkuloz. Aktualisht, në Institutin për TBC janë 95 pacientë me tuberkulozë, prej të cilëve 83 janë raste të regjistruara gjatë këtij viti, ndërsa në Spitalin e Fëmijëve „Kozle“ në vitin 2025 janë evidentuar 15 raste, kurse në vitin 2026 janë evidentuar 12 raste të reja. Në bazë të sa më sipër, Komisioni për Imunizim miratoi përfundim për shtyrjen e përkohshme të imunizimit me këtë vaksinë, deri në marrjen e informacioneve të plota lidhur me seritë, cilësinë e tyre dhe ndërlidhjen e tyre me shfaqjen e reaksioneve të padëshiruara. Njëkohësisht, theksojmë se gjatë dhjetë viteve të fundit, në MALMED është pranuar vetëm një raportim për dyshim për reaksion të padëshiruar nga vaksina BCG (në gusht të vitit 2022), i cili kishte të bënte me shfaqjen e një abscesi në vendin e aplikimit të vaksinës, që si reaksion është përshkruar në udhëzimin për përdorimin e vaksinës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kroacia ka pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës BCG për të porsalindurit, pasi janë raportuar katër raste të rralla të inflamacionit të kockave, të dyshuara si reaksion i padëshiruar pas vaksinimit. Të katër fëmijët ishin vaksinuar në vitin 2024 dhe në fillim të vitit 2025 me vaksinë nga i njëjti prodhues bullgar. Për këtë arsye, autoritetet kroate kanë ndaluar shpërndarjen dhe përdorimin e të gjitha serive të vaksinës nga ky prodhues.

Sipas autoriteteve shëndetësore kroate, prindërit e fëmijëve që kanë marrë vaksinën nuk kanë nevojë për kontrolle të veçanta nëse nuk kanë simptoma. Megjithatë, duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse fëmija shfaq ënjtje të zgjatur në kocka ose nyje, dhimbje, vështirësi në lëvizje, çalim apo shmangie të mbështetjes në krah ose këmbë. Reaksioni është i rrallë dhe mund të shfaqet disa muaj deri në disa vite pas vaksinimit. Autoritetet theksojnë se, nëse zbulohet herët, osteiti ose osteomieliti i shkaktuar nga BCG-ja trajtohet me sukses dhe kocka mund të shërohet plotësisht./tv21.tv