Prokuroria përfundoi provat për Koçanin! Radha e mbrojtjes, janë propozuar 244 dëshmitarë

TË FUNDIT

Ka përfunduar paraqitja e provave nga Prokuroria Publike në procesin gjyqësor për zjarrin në Koçan, ndërsa nga 1 tetori pritet të nisë procedura e provave nga mbrojtja, e cila ka propozuar dëgjimin e 244 dëshmitarëve, përcjell TV21. Sipas informacioneve të publikuara nga Gjykata Themelore Penale Shkup, paraqitja e provave nga Prokuroria ka përfunduar më 14 shtator.

Gjatë procedurës deri më tani janë paraqitur 1.309 prova materiale, ndërsa janë dëgjuar 45 dëshmitarë dhe pesë ekspertë. Që nga fillimi i gjykimit janë mbajtur gjithsej 49 seanca, prej të cilave nëntë gjatë vitit 2025 dhe 40 gjatë vitit 2026. Sipas Gjykatës, asnjë seancë nuk është shtyrë.

Procesi do të vazhdojë me provat e propozuara nga mbrojtja. Deri në fund të vitit 2026 janë caktuar edhe 15 seanca, gjashtë në tetor, pesë në nëntor dhe katër në dhjetor. Seanca e fundit e planifikuar për këtë vit është më 24 dhjetor.

Me fillimin e procedurës së provave nga mbrojtja, procesi gjyqësor hyn në fazën e radhës, gjatë së cilës do të paraqiten provat dhe do të dëgjohen dëshmitarët e propozuar nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Këto informacione u bënë të ditura sot në një brifing me gazetarë në Gjykatën Themelore Penale Shkup. Kryetarja e Gjykatës, Daniela Dimovska, informoi për proceset aktuale gjyqësore, mes tyre edhe për rastin e zjarrit në Koçan, si dhe për fazat e ardhshme të procedurës.