VMRO-DPMNE thotë se kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, është vetë fajtor për gjendjen brenda partisë, pasi nuk ka arritur ta konsolidojë atë. Ai përgjegjësinë ua kalon ish-funksionarëve dhe anëtarëve të partisë, duke bërë që publiku të dëshmojë përçarjet brenda LSDM-së, deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
“Në vend të një fronti të përbashkët opozitar, shtohen fraksionet, egot dhe përplasjet mes tyre, të shoqëruara me një sërë ofendimesh. Në një LSDM tashmë të dobët dhe në prag të shpërbërjes, një alternativë e qartë politike është gjithnjë e më pak e dukshme, ndërsa kundërshtari Filipçe duhet ta kuptojë se qëndrimi për të qenë vetëm kundër është shkatërrues. Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Së pari: VMRO-DPMNE konsideron se kjo është çështje e tyre e brendshme dhe as që mendon të përzihet. Dhe së dyti, nëse dikush pyet nëse kjo na përshtatet apo jo, sigurisht që na përshtatet, por kjo nuk është e shëndetshme për proceset demokratike në shtet”, tha Brane Petrushevski.
Këto reagime vijnë pasi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, dje i akuzoi hapur ish-anëtarët e partisë, të organizuar në të ashtuquajturën “Platforma 12.05”, se bashkëpunojnë me VMRO-DPMNE-në dhe duan ta përçajnë partinë.
“Në një vend pamë një grup të vogël puçistësh, ish-funksionarë të LSDM-së, por edhe anëtarë të partive të tjera, nga LDP-ja, njerëz të punësuar në ZNAM, por edhe nga Levica, parti me vlera krejtësisht të kundërta me tonat. Të gjithë të ulur në një vend, të gjithë satelitët e Hristijan Mickoskit të ulur në një vend, shizofreni totale. Dje isha dëshmitar se LSDM-ja është bastioni i vetëm opozitar në vend”, tha Venko Filipçe
Nga Platforma 12.05 paralajmërojnë se gjatë kësaj jave kryetarit të partisë, Filipçe, do t’i dorëzojnë një propozim për konsolidim dhe ndryshime në parti.
Ata kërkojnë ndryshimin e udhëheqësisë me në krye Filipçen, pas së cilës anëtarësia do të vendoste përmes një procedure brenda partisë për hapat e mëtejshëm.
