Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi ish-funksionarët e partisë të mbledhur rreth platformës “Biseda për të ardhmen në 12:05” se po tentojnë të fragmentojnë LSDM-në, duke pretenduar se pas tyre qëndron kryeministri Hristijan Mickoski. Filipçe i quajti ata “shkemanxhinj” dhe “puçistë”, ndërsa tha se përpjekjet për përçarjen e partisë nuk do të kenë sukses. Ai e lidhi situatën edhe me formimin e ZNAM-it, duke pretenduar se VMRO-DPMNE-ja mund ta mbajë pushtetin vetëm nëse LSDM-ja fragmentohet.
Filipçe pranoi se humbja e LSDM-së në zgjedhjet e vitit 2024 ishte “katastrofale” dhe tha se po analizon me qytetarët gabimet që çuan në atë rezultat dhe mënyrën e rikthimit të partisë në pushtet.
“Pamë në një vend një grup të vogël puçistësh, ish-funksionarë të LSDM-së, por edhe anëtarë të partive të tjera. Të LDP-së, njerëz të punësuar në ZNAM, por edhe të Levicës – parti me vlera krejtësisht të kundërta me tonat. Parti që hapur mbron interesat ruse dhe kineze tek ne dhe financohet nga Rusia dhe Kina, këtu, në një vend të NATO-s… të gjithë të ulur në një vend, të gjithë satelitë të Hristijan Mickoskit të ulur në një vend, skizofreni totale. Dje u dëshuma se LSDM është bastion i vetëm opozitar në vend”, tha Filipçe.
Pas konferencës së sotme për shtyp të Filipçes, Platforma “Biseda për të ardhmen në 12:05” reagoi përmes një komunikate me shkrim, duke akuzuar udhëheqësinë aktuale se nuk e përfaqëson anëtarësinë e vërtetë të partisë.
“Venko Filipçe me grupin e vogël është një fraksion në LSDM. Ai nuk është kryetar i anëtarësisë, por kryetar i kartelave fiktive të votimit. Sot u konfirmua pikërisht kjo. Me gjithë presionet ndaj anëtarëve, ai në konferencën për shtyp mblodhi gjysmën e udhëheqësisë dhe rreth njëqind persona në audiencë. Kjo është më pak se një për qind e votave që gjoja i fitoi në zgjedhjet brendapartiake. Venko Filipçe nuk ka fytyrë të bëjë akuzat që i parashtron. Për shembull, në Komitetin e tij Qendror është Rubini Zemon, njeriu që e konteston figurën e madhe maqedonase Goce Dellçev”, thuhet në reagimin e sotëm të Platformës”, thonë nga Platforma “Biseda për të ardhmen në 12:05”
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme brenda LSDM-së u intensifikuan kërkesat për ndryshime strukturore dhe riorganizim të partisë. Ish-nënkryetari Igor Ivanovski i bëri thirrje liderit Venko Filipçe të pranojë Planin për konsolidim dhe ta hapë partinë ndaj anëtarësisë. Platforma “Biseda për të ardhmen” tha se synon konsolidimin e frontit opozitar dhe përjashtoi mundësinë e shndërrimit në parti të re politike. Ndërkohë, përfaqësues të saj kërkuan ndryshime në drejtimin e LSDM-së dhe rikthimin e procesit demokratik brenda partisë.
