Atmosferë pozitive në kampin e kombëtares së futbollit të Maqedonisë në prag të sezonit të ri në Ligën e Kombeve. Përfaqësuesit tanë nesër në mbrëmje do ta zhvillojnë ndeshjen e parë në Divizionin B, ndërsa kundërshtare është kombëtarja e fortë e Zvicrës. Përzgjedhësi Sedlloski shpreson për mbështetje të madhe nga tribunat.
“I ftoj nesër të vijnë sa më shumë në numër. T’i mbështesin përfaqësuesit dhe të jemi të gjithë për njëri-tjetrin. E jona është të paraqitemi në dritë të mirë, me një paraqitje të mirë dhe një lojë të mirë. Pres që lojtarët ta arsyetojnë besimin e tifozëve, të cilët pres të jenë në numër të madh, por edhe besimin tek unë, tek të gjithë, tek e gjithë Maqedonia”, tha seleksionuesi Goce Sedlloski.
Për kapitenin Bardhi, por edhe për mesfushorin Elmas, kundërshtarë si Zvicra gjithmonë janë sfidë dhe në vetvete motivim. Ata presin mbështetje të madhe nga tribunat, pasi, siç thonë, sa herë që stadiumi ka qenë i mbushur, suksesi është arritur.
“Çdo rezultat pozitiv që kemi pasur, stadiumi ka qenë i mbushur. Kemi pasur mbështetje nga tribunat. Kjo do të thotë shumë për ne. Secili prej nesh është i vetëdijshëm se kemi një ndeshje të vështirë, të jemi realistë. Do të japim gjithçka nga vetja, të luftojmë, të lëmë zemrën në fushë, vetëm këtë mund ta them dhe ta premtoj”, u shpreh kapiteni Enis Bardhi.
“Pres një ndeshje të vështirë, luajmë me një kombëtare të fortë, e cila e dimë se deri ku arriti këtë verë, arriti deri në çerekfinale të Kupës së Botës. Na pret një ndeshje e vështirë, por ne jemi maksimalisht të përgatitur, nesër do të dalim në fushë dhe do të japim gjithçka nga vetja për të arritur një rezultat pozitiv”, potencoi Elif Elmas.
Dueli me Zvicrën zhvillohet nesër me fillim në orën 20:45 në Arenën „Todor Proeski“. Në këtë pauzë të kombëtareve, Maqedonia do të zhvillojë gjithsej katër ndeshje. Pas ndeshjes me Zvicrën në Shkup, vijon ndeshja si mysafire në Slloveni, më pas në shtëpi kundër Skocisë, ndërsa në fund të ciklit ndeshja e dytë kundër Zvicrës në fushën kundërshtare.
