Aktorja amerikane Susan Sarandon është arrestuar të enjten, më 24 shtator, së bashku me disa manifestues të tjerë, gjatë një proteste kundër pranisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sarandon u ndalua nga policia në rrugët pranë selisë së OKB-së në Nju Jork, ku po zhvillohej një protestë e organizuar nga grupi “Jewish Voice for Peace”. Manifestimi, i mbajtur rreth dy blloqe në jug të selisë së Kombeve të Bashkuara, mblodhi rreth 250 persona.

Së bashku me Sarandon u morën edhe Darializa Avila Chevalier, kandidate demokrate për Kongresin amerikan, si dhe këshilltari bashkiak Chi Osséo.
Aktorja nuk ishte e vetmja figurë e njohur e Hollywood-it që u përfshi në protestë. Sipas raportimeve, gjatë demonstratës janë arrestuar edhe aktoret fituese të çmimit Emmy, Cynthia Nixon dhe Hannah Einbinder.

Në protestë raportohet se ka marrë pjesë gjithashtu edhe aktori Elliot Page, i cili së fundmi është shfaqur në filmin “The Odyssey” të regjisorit Christopher Nolan.
Arrestimi i Sarandon vjen disa javë pasi aktorja foli publikisht për qëndrimet e saj pro palestinezëve dhe kritikën ndaj politikave të Izraelit. Gjatë një konference për shtyp për filmin e saj të fundit, “The Echo Chamber”, me regji të Andrea Pallaoro, ajo deklaroi se qëndrimet e saj politike kishin ndikuar në marrëdhënien e saj me Hollywood-in.

“Unë nuk marr më oferta për filma për shkak të mbështetjes sime për Palestinën. Ishte një zbulim për mua të kuptoja se sa para i japin SHBA-të Izraelit”, kishte deklaruar Sarandon, e cila në vitin 1996 fitoi çmimin Oscar për aktoren më të mirë.
Protesta u zhvillua në një kohë kur prania e Netanyahu-t në Nju Jork për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka shkaktuar demonstrata dhe reagime të ndryshme në qytet.
