Befason shkolla në Shtip! Ndalon celularët, çipsat e flipsat dhe pijet me ngjyrë artificiale!

TË FUNDIT

Në shkollën fillore “Dimitar Vllahov” në Shtip, tashmë prej një jave janë në fuqi rregulla të reja, me të cilat për 930 nxënës kufizohet përdorimi i telefonave celularë, ndërsa nga dita shkollore janë hequr edhe çipsat, flipsave dhe pijet me ngjyrë artificiale, përcjell TV21. Masat janë dakorduar me prindërit që para përfundimit të vitit të kaluar shkollor, ndërsa qëllimi është që nxënësit të përqendrohen më shumë në mësim, shoqërimin e drejtpërdrejtë dhe zakonet më të shëndetshme të të ushqyerit.

Telefon celular mund të sjellin vetëm nxënësit që kanë vërtet nevojë për të, për shembull për shkak të organizimit të kthimit në shtëpi. Në një rast të tillë, telefoni duhet të jetë pa internet, i fikur dhe t’i dorëzohet kujdestarit të klasës menjëherë pas mbërritjes në shkollë. Rregullat e reja vlejnë edhe për ushqimin dhe pijet. Nxënësit nuk lejohen të sjellin çipsa, flipsa (smoki) dhe pije me ngjyrë, ndërsa shkolla tri herë në javë u siguron fruta të freskëta.

Në bashkëpunim me furrat lokale është përgatitur edhe një meny me kos, produkte të furrës dhe ushqime të tjera. Nga pijet lejohen uji, qumështi dhe lëngjet e përgatitura në shtëpi.

Drejtori Dejan Zdravkov thotë se ideja është të zvogëlohet varësia nga pajisjet elektronike dhe të nxitet komunikimi i drejtpërdrejtë mes nxënësve. Vendimi ka marrë mbështetjen e Këshillit të Mësimdhënësve, Këshillit të Shkollës dhe Këshillit të Prindërve, ndërsa sipas drejtuesve të shkollës, rezultatet e para të regjimit të ri tashmë janë vërejtur.