Për tetë muaj, 34 viktima më pak dhe 863 persona më pak të lënduar në aksidente trafiku

TË FUNDIT

Gjatë periudhës janar–gusht të këtij viti, në aksidente trafiku kanë humbur jetën 62 persona, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kanë humbur jetën 96 persona. Kjo është 34 viktima më pak, përkatësisht një ulje prej 35,42%, tregojnë të dhënat nga evidencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme për tetë muajt e parë të vitit 2026.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i personave të prekur nga aksidentet është ulur nga 4.731 në 3.868. Bëhet fjalë për 863 persona më pak të vdekur dhe të lënduar, përkatësisht një ulje prej 18,24%.

“Këto shifra janë një konfirmim i qartë se qasja sistematike në përmirësimin e sigurisë në komunikacion jep rezultate konkrete”, theksojnë nga MPB-ja.

Numri i përgjithshëm i aksidenteve të trafikut është ulur nga 5.485 në 4.840, përkatësisht me 11,76%. Numri i aksidenteve me pasoja fatale është ulur nga 82 në 54, ose me 34,15%, ndërsa numri i aksidenteve me lëndime të rënda trupore është ulur nga 594 në 528, përkatësisht me 11,11%.

Numri i aksidenteve me lëndime trupore është ulur nga 2.291 në 1.896, ose me 17,24%, ndërsa numri i aksidenteve me dëme materiale nga 2.518 në 2.362, përkatësisht me 6,20%.

Numri i personave me lëndime trupore është ulur nga 3.949 në 3.116, ose me 21,09%, që paraqet 833 persona më pak. Numri i personave me lëndime të rënda trupore është pothuajse në të njëjtin nivel – 686 në vitin 2025 dhe 690 në vitin 2026.

Rëndësia e këtyre rezultateve, siç theksojnë nga MPB-ja, është edhe më e madhe duke pasur parasysh se prej vitesh numri i viktimave në trafik mbetej në nivel të lartë.

Në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2025, në aksidente trafiku çdo vit kanë humbur jetën nga 116 deri në 198 persona, ndërsa në vitet 2019 dhe 2025 janë regjistruar nga 132 viktima.

“Kjo tregon se për një periudhë të gjatë nuk ishte arritur ulje thelbësore dhe e qëndrueshme e numrit të viktimave. Ndryshimi pozitiv në vitin 2026 është rezultat i një qasjeje të integruar që përfshin sistemin “Qyteti i Sigurt”, ndryshimet ligjore, kontrollet e shtuara policore dhe aktivitetet e vazhdueshme parandaluese”, thonë nga MPB.

Me fillimin e sanksionimit përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” më 1 shkurt 2026, u vendos një model i ri i veprimit. Shkeljet detektohen automatikisht, rastet përpunohen në mënyrë elektronike, ndërsa njoftimet dërgohen përmes SMS-ve dhe postës elektronike.

Nuk bëhet fjalë vetëm për futjen e një teknologjie të re, por për ndryshimin e mënyrës së zbatimit të rregullave të trafikut, përkatësisht nga kontrollet e herëpashershme drejt veprimit të vazhdueshëm, të parashikueshëm dhe joselektiv.

Në këtë mënyrë rritet siguria se shkelja e detektuar do të procedohet, zvogëlohet hapësira për veprime subjektive dhe ndikohet në mënyrë parandaluese në sjelljen e pjesëmarrësve në trafik.

“Rezultatet në tetë muajt e parë tregojnë se kjo qasje po sjell ndryshim real në rrugë. Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë me avancimin dhe zgjerimin e sistemit “Qyteti i Sigurt”, me kontrolle të shtuara dhe masa të orientuara drejt uljes së aksidenteve të trafikut, përkatësisht më pak të lënduar dhe më pak jetë të humbura njerëzore”, thuhet në njoftimin e MPB-së.