Milot Avdyli para debutimit me Kosovën: “Ndjenjë e papërshkrueshme, shpresoj t’i fitojmë ndeshjet”

TË FUNDIT

Sulmuesi Milot Avdyli ka folur për emocionet e veçanta pas ftesës së parë në Kombëtaren A të Kosovës, duke u shprehur optimist për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve.

Avdyli, i cili ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e Kosovës, është ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda për katër ndeshjet e radhës.

Në një prononcim për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës, Avdyli tha se përfaqësimi i Kombëtares A është një ndjenjë e veçantë dhe se synon ta shfrytëzojë mundësinë për të dëshmuar vlerat e tij.

“Kam qenë në të gjitha gjeneratat. Normalisht, është një ndjenjë e papërshkrueshme të luash për Kombëtaren A, krejtësisht ndryshe. Shpresoj që do ta tregoj veten dhe do të zhvillojmë katër ndeshje shumë të mira”, tha Avdyli.

Ai foli edhe për atmosferën në grumbullimin e Kosovës, duke theksuar se është pritur mirë nga bashkëlojtarët, përfshirë futbollistët me më shumë përvojë.

Avdyli beson se Kosova mund të arrijë rezultate pozitive, duke vlerësuar kombinimin e lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë.

“Besoj se do të kemi rezultate pozitive, duke pasur parasysh se çfarë ekipi kemi. Kemi lojtarë të rinj dhe me eksperiencë, të cilët mund ta bëjnë dallimin. Shpresoj që mund t’i fitojmë ndeshjet”, u shpreh ai.

Kosova do të zhvillojë edhe dy seanca stërvitore të mërkurën, në përgatitje për ndeshjen ndaj Irlandës, e cila zhvillohet të enjten nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.