Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan konsideron se OKB-ja duhet ta heqë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit dhe se pandemia e COVID-19, kriza energjetike, çrregullimet në zinxhirët e furnizimit dhe konfliktet rajonale kanë treguar se “lënia e zgjidhjes së krizave globale në vullnetin e disa kryeqyteteve” nuk është më në përputhje me realitetin.
“Përshtatja e mekanizmave globalë të vendimmarrjes me rrethanat bashkëkohore nuk mund të shtyhet më. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ende pasqyron strukturën e periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Një qasje më efikase, e drejtë dhe e përgjegjshme ndaj përfaqësimit është bërë e domosdoshme. Kjo kërkon jo vetëm zgjerimin e përfaqësimit, por edhe shpërndarje të drejtë të përgjegjësive drejtuese”, theksoi Erdogan në një kolumnë për Bloomberg.
Erdogan shtoi se “përvoja, kapaciteti dhe vullneti i rajoneve të ndryshme” duhet të përfshihen në përpjekjet për zgjidhjen e sfidave globale dhe rajonale.
“Është e nevojshme që kërkesa për reforma të shndërrohet në një udhërrëfyes konkret. Në qendër të këtij udhërrëfyesi duhet të jetë heqja e privilegjit të vetos”, konsideron presidenti turk.
Sipas propozimit të tij, Këshilli i Sigurimit nuk do të kishte më anëtarë të përhershëm, por të gjitha vendet anëtare të këtij organi do të zgjidheshin nga Asambleja e Përgjithshme për një mandat të caktuar. Vendet që do të dëshironin një mandat të ri do të duhej të siguronin sërish mbështetjen e shumicës së anëtarëve të OKB-së.
Erdogan beson se vetëm rritja e numrit të anëtarëve të përhershëm nuk do ta zgjidhte problemin themelor, pasi fuqia vendimmarrëse do të mbetej e përqendruar në duart e një numri të kufizuar shtetesh.
