Maqedonia prodhon më shumë me më pak tokë – sipërfaqet bujqësore u pakësuan 2,5% në 10 vjet, por rendimentet u rritën

TË FUNDIT

Në dhjetë vitet e fundit, sipërfaqja bujqësore në Maqedoninë e Veriut është pakësuar për rreth 2,5%, nga 1.264.408 hektarë në vitin 2015, në 1.233.099 hektarë në vitin 2025.

Edhe pse pothuajse gjysma, përkatësisht rreth 48% e territorit të përgjithshëm të shtetit është tokë bujqësore, vetëm 40% e saj është e punueshme, ndërsa 60% janë kullosa.

Në strukturën e tokës së punueshme dominojnë arat dhe kopshtet me rreth 80%, ndërsa livadhet marrin pjesë me rreth 12%, vreshtat me 4% dhe pemishtet me 3-4%. Në periudhën 2015-2025 nuk ka pasur ndryshime të mëdha strukturore. Rritja më e madhe është regjistruar te pemishtet, me 0,3 pikë përqindjeje, ndërsa një ulje e vogël është vërejtur te vreshtat, me 0,2 pikë përqindjeje, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave.

Gruri është kultura më e përhapur, me 24,6%, ose 65.648 hektarë, të sipërfaqes totale të mbjellë vitin e kaluar. Së bashku, gruri, elbi dhe misri mbulojnë 51,1% të të gjithë tokës së mbjellë.

Lucerna është kultura kryesore foragjere me 6,7%, ndërsa duhani mbetet një kulturë e rëndësishme industriale, me 5,9% të sipërfaqes. Ndër perimet, pjesën më të madhe e zënë patatet, me 4,3%, dhe specat, me 3,4%.

Në periudhën 2015-2025 vërehen ndryshime të konsiderueshme si në sipërfaqet e mbjella, ashtu edhe në rendimentet. Në përgjithësi, janë pakësuar sipërfaqet e mbjella me drithëra dhe me një pjesë të kulturave perimore, por te shumica e kulturave rendimentet për hektar janë rritur.

Bujqësia e vendit në vitin 2025 prodhon më shumë me më pak tokë, pasi te kulturat më të rëndësishme, veçanërisht gruri, elbi, patatet dhe specat, rritja e rendimenteve ka kompensuar zvogëlimin e sipërfaqeve të kultivuara.

Sipërfaqet e mbjella me grurë janë ulur për 11%, por prodhimi është rritur për 27%, për shkak të rendimentit më të mirë. Elbi është fituesi më i madh mes drithërave, me rritje prej 5% të sipërfaqes së mbjellë dhe mbi 50% më shumë prodhim dhe rendiment.

Orizi, nga ana tjetër, ka shënuar rënie të konsiderueshme, si në sipërfaqet e mbjella (-39%), ashtu edhe në prodhim (-37%).

Specat janë kultura më e suksesshme e kopshtarisë dhe vitet e fundit kanë shënuar rritje prej 5% të sipërfaqes së mbjellë, ndërsa rendimenti është rritur me rreth 5 tonë për hektar. Domatet dhe trangullat, nga ana tjetër, kanë shënuar rënie të konsiderueshme të prodhimit.

Gruri, për dhjetë vjet, ka humbur mbi 8 mijë hektarë. Nga 73.979 hektarë të mbjellë në vitin 2015, sipërfaqja ka rënë në 65.925 hektarë në vitin 2025.

Misri, në dhjetë vitet e fundit, ka humbur pothuajse 5 mijë hektarë. Nga 31.807 hektarë në vitin 2015, sipërfaqja e mbjellë ka rënë në 26.960 hektarë në vitin 2025.

Pavarësisht sipërfaqeve të pakësuara, gruri prodhon 55 mijë tonë më shumë se në vitin 2015, për shkak të rendimentit dukshëm më të lartë. Kjo paraqet një rritje prej 27%, nga 201.218 tonë në vitin 2015, në 256.199 tonë në vitin 2025.

Ngjashëm është edhe te patatet. Edhe pse sipërfaqja e mbjellë është ulur për 14%, rendimenti është rritur për 7,6%. Nga 189.408 tonë patate të prodhuara në vitin 2015, në vitin 2025 janë prodhuar 203.758 tonë.

Specat, ndërkaq, kanë shënuar rritje prej 4,5% të sipërfaqes së mbjellë, nga 8.622 hektarë në vitin 2015 në 9.033 hektarë në vitin 2025. Rendimenti është rritur për pothuajse 30%, nga 189.443 tonë speca të prodhuar në vitin 2015, në 244.043 tonë në vitin 2025.

Rënia më e madhe e prodhimit është regjistruar te trangullat. Nga 66.830 tonë në vitin 2015, prodhimi është përgjysmuar, duke rënë në 32.536 tonë në vitin 2025. Ndërkohë, sipërfaqet e mbjella janë ulur për rreth 11%.

Rënie të konsiderueshme në prodhim, prej mbi një të tretës, është shënuar edhe te domatet. Nga 173.434 tonë të prodhuara në vitin 2015, prodhimi ka rënë në 112.645 tonë në vitin 2025.

Rritja më e madhe e rendimentit është regjistruar te specat, me mbi 5 mijë kilogramë për hektar. Një hektar i mbjellë me speca në vitin 2015 kishte rendiment prej 21.985 kilogramësh, ndërsa në vitin 2025 rendimenti ka arritur në 27.017 kilogramë.

Rritje të konsiderueshme, prej mbi 3 mijë kilogramësh për hektar, kanë shënuar edhe patatet (+3.632 kg/ha) dhe qepët (+3.431 kg/ha).

Domatet, nga ana tjetër, kanë shënuar rënie të rendimentit prej pothuajse 10 mijë kilogramësh për hektar. Nga 30.740 kg/ha në vitin 2015, rendimenti ka ardhur duke u pakësuar dhe ka rënë në 20.945 kg/ha në vitin 2025.

Edhe rendimenti i trangullave vitin e kaluar është pakësuar për mbi 20 mijë kg/ha në krahasim me vitin 2015. Rënia më e konsiderueshme është regjistruar në tre vitet e fundit, nga rreth 47 mijë kg/ha në vitin 2022, në rreth 29 mijë kg/ha në vitin 2025.