Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në New York.
Takimi me dyer të mbyllura u zhvillua në Shtëpinë Turke, Turkevi, në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, raporton KosovaPress.
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës së Turqisë, në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-Turqi, si dhe për zhvillimet rajonale dhe globale.
Erdogan tha se Turqia do të vazhdojë të ndërmarrë hapa për rritjen e tregtisë dypalëshe, në përputhje me potencialin e dy vendeve.
Presidenti turk theksoi gjithashtu synimin për avancimin e bashkëpunimit me Kosovën në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes.
Erdogan i tha Kurtit se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për të siguruar “vendin e saj të merituar” në bashkësinë ndërkombëtare.
Ai gjithashtu theksoi mbështetjen e Ankarasë për dialogun ndërmjet vendeve të Ballkanit.
Gjatë takimit, Erdogan e ftoi Kurtin të marrë pjesë në Samitin e Liderëve COP31, që Turqia pritet ta organizojë në nëntor në Antalya.
Turqia ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, më 18 shkurt 2008, një ditë pas shpalljes së saj.
