Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë doli me detaje për aksionin e djeshëm për nxjerrjen e një trupi të pajetë nga Mali Sharr, në një lartësi mbidetare prej rreth 2.500 metrash, përcjell TV21.
Bëhet fjalë për 74-vjeçarin A.S. nga fshati Xhepçisht i Tetovës, për të cilin pas kontrolleve mjekësore është konstatuar se ka vdekur nga shkaqe natyrore. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerit iu dorëzua familjes për varrim.
Më 20 shtator 2026, në orën 14:37, në SPB Tetovë një grup alpinistësh raportuan se në një shteg malor, në një lartësi prej rreth 2.500 metrash, kishin vërejtur trupin e një personi të moshuar pa shenja jete.
Për shkak të terrenit të paarritshëm, për nxjerrjen e trupit me helikopter u angazhuan ekipe të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigër”. Ekipet e nxorën trupin e të ndjerit dhe e transportuan në Departamentin e Mjekësisë Ligjore pranë Spitalit Klinik të Tetovës.
