Katër të dyshuar për një seri vjedhjesh në rajonin e Bogovinës, dëmi rreth 244 mijë euro 

TË FUNDIT

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka nisur procedurë ndaj katër personave, të dyshuar për një seri vjedhjesh të rënda në disa fshatra të Komunës së Bogovinës.

Sipas Prokurorisë, nga prilli deri në shtator, të dyshuarit kanë hyrë në disa shtëpi dhe kanë vjedhur para, stoli ari dhe armë zjarri, të cilat pronarët i posedonin me leje.

Në një rast në Pallçisht, nga një shtëpi është nxjerrë edhe një kasafortë që peshonte rreth 400 kilogramë. Dëmi i përgjithshëm vlerësohet fillimisht në rreth 15 milionë denarë.

Dy të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim. Hetimi po vazhdon për zbardhjen e plotë të rasteve dhe përcaktimin e përgjegjësisë së të dyshuarve.