NATO mirëpret marrëveshjen SHBA-Danimarkë për sigurinë e Grenlandës

TË FUNDIT

SHBA-ja dhe Danimarka kanë njoftuar se kanë arritur një marrëveshje për sigurinë e Grenlandës, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje diplomatike të nxitur nga kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e territorit me forcë.

NATO e ka mirëpritur marrëveshjen, duke thënë se ajo do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit. Trump tha se Danimarka do t’i japë SHBA-së “kontroll të përhershëm mbi sigurinë dhe të gjitha nevojat e tjera” në territorin gjysmëautonom danez në Arktik.

Udhëheqësit e Danimarkës dhe Grenlandës e kanë mirëpritur marrëveshjen, duke thënë se ajo pritet të forcojë sigurinë. Sipas tyre, dokumenti pritet të nënshkruhet javën e ardhshme, ndërsa përmbajtja e plotë e tij ende nuk është bërë publike.

Trump tha se marrëveshja nuk do t’i kushtojë asgjë SHBA-së dhe do t’i mundësojë Uashingtonit “të bëjë atë që është e nevojshme” për të garantuar dhe mbrojtur sigurinë e Grenlandës.

Ai gjithashtu tha se marrëveshja përfshin një rregull që asnjë kundërshtar i SHBA-së nuk do të mund të mbajë prani ushtarake apo të bëjë investime të ndjeshme në Grenlandë pa miratimin e shprehur me shkrim nga SHBA-ja.

Një zëdhënës i NATO-s tha se aleanca e mirëpret marrëveshjen, e cila, sipas tij, do të ndihmojë në avancimin e sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit në këtë rajon me rëndësi strategjike.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se është e kënaqur që ekziston mundësia për një marrëveshje të mirë për të tri palët. Marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme.