Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi mbrëmë se administrata e tij po bashkëpunon me Izraelin për të arritur një marrëveshje të favorshme me Sirinë. Kjo deklaratë u bë pas pritjes së presidentit sirian, Ahmed al-Shara, në Shtëpinë e Bardhë.
“Njerëzit thonë se al-Shara ka pasur një të kaluar të vështirë. Por të gjithë ne kemi pasur një të kaluar të vështirë”, u tha Trump gazetarëve, duke iu referuar presidentit sirian, i cili më herët ka qenë në listën e zezë të terroristëve në Washington, transmetojnë mediat britanike.
Pas takimit në Washington, Ministria e Financave e SHBA-së njoftoi se Shtetet e Bashkuara, përkohësisht për një periudhë prej 180 ditësh, kanë pezulluar zbatimin e sanksioneve nga “Ligji i Cezarit” ndaj Sirisë.
Sipas njoftimit, pezullimi nuk vlen për një sërë transaksionesh të lidhura me Rusinë dhe Iranin.
Ky vendim zëvendëson pezullimin e mëparshëm të përkohshëm të sanksioneve, i cili ishte në fuqi që nga data 23 maj.
“Ligji i Cezarit”, i emërtuar sipas një dezertori të ushtrisë siriane që, sipas SHBA-së, kishte kontrabanduar dokumente dhe fotografi të viktimave të torturës nën regjimin e presidentit sirian Bashar al-Asad, hyri në fuqi në qershor të vitit 2020.
Sanksionet ishin të drejtuara kundër regjimit të Bashar al-Asadit dhe ndaj të gjithë atyre që bashkëpunonin me të, veçanërisht në sektorët e energjisë, ndërtimit dhe financave.
