Në Moskë u takuan Putin dhe Al-Sharaa

TË FUNDIT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është takuar në Pallatin e Kremlinit me presidentin e Sirisë, Ahmed Shara (Ahmad al-Sharaa). Në takimin zyrtar morën pjesë nga pala ruse ministri i Jashtëm Sergej Lavrov, zëvendëskryeministri Aleksandr Novak dhe këshilltari për politikë të jashtme i Kremlinit, Jurij Ushakov. Nga pala siriane ishin të pranishëm ministri i Jashtëm Esad Hasan Shejbani, ministri i Mbrojtjes Murhef Ebu Kasra, shefi i inteligjencës Husein es-Selame dhe sekretari i përgjithshëm i presidencës siriane, Mahir Shara.

Në lidhje me: Siria kërkon ekstradimin e Assadit! Al-Sharaa në Moskë për negociata vendimtare

Në fillim të takimit, Putin theksoi se Rusia dhe Siria kanë zhvilluar marrëdhënie të veçanta për dekada me radhë. Ai kujtoi se lidhjet diplomatike midis dy vendeve datojnë më shumë se 80 vjet më parë, duke u vendosur në vitin 1944 — në një periudhë shumë të vështirë për Rusinë dhe ish-Bashkimin Sovjetik.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Sirisë kanë qenë gjithmonë miqësore. Rusia kurrë nuk i ka lidhur këto marrëdhënie me kushte politike apo interesa të veçanta. Ne gjithmonë jemi udhëhequr nga një qëllim i vetëm: interesat e popullit sirian”, tha Putin.

Ai shtoi se mes dy popujve ekziston një lidhje e thellë, e ndërtuar përmes martesave dhe miqësive, dhe theksoi se mbi 4 mijë të rinj sirianë aktualisht studiojnë në universitetet ruse. “Shpresoj që këta të rinj të japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe forcimin e shtetit sirian në të ardhmen,” u shpreh ai.

Putin përmendi edhe zgjedhjet parlamentare të fundit në Siri, duke i quajtur ato “një arritje të madhe” që forcon shoqërinë siriane dhe nxit bashkëpunimin midis forcave politike në një kohë të vështirë për vendin.

Ai kujtoi gjithashtu se komisioni i përbashkët ndërqeveritar Rusi–Siri ekziston që nga viti 1993 dhe ka rifilluar punën e tij. Putin falënderoi presidentin Shara për mikpritjen e delegacionit rus të drejtuar nga zëvendëskryeministri Novak, duke theksuar se “janë identifikuar shumë nisma interesante dhe të dobishme” dhe se Rusia është e gatshme t’i zbatojë ato në praktikë përmes kontakteve të rregullta diplomatike.

Nga ana e tij, presidenti sirian Ahmed Shara theksoi se midis Rusisë dhe Sirisë ekzistojnë “lidhje të thella historike”. Ai foli për “një Siri të re” që po prezantohet para botës dhe që, sipas tij, po njihet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare.

“Jemi duke punuar shumë për të zhvilluar objektivat tona politike me Rusinë. E dimë që jemi të lidhur nga lidhje historike dhe që Rusia luan një rol të rëndësishëm në këtë proces. Ne po mbështetemi në shumë përfitime që Rusia na ka ofruar – përfshirë ndihmën materiale dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme,” tha Shara.

Ai theksoi se Siria do të vazhdojë bashkëpunimin me Rusinë: “Do të punojmë për të forcuar marrëdhëniet tona gjithëpërfshirëse dhe për t’ju prezantuar me Sirinë e re. Prioriteti ynë kryesor tani është stabiliteti — si në vend, ashtu edhe në rajon.”

Pas më shumë se 13 vitesh luftë të brendshme, e cila shpërtheu në vitin 2011 si një lëvizje popullore për liri dhe u shtyp me dhunë, regjimi 61-vjeçar i Partisë Ba’ath dhe sundimi i përgjakshëm i Bashar al-Asadit u rrëzua në dhjetor të vitit të kaluar. Raportohet se Rusia i ka ofruar strehim Asadit dhe familjes së tij për arsye humanitare, dhe se ata janë vendosur në Moskë pas rrëzimit të regjimit.