Në rajonin Amur, një avion pasagjerësh An-24 u rrëzua, ndërsa dyshohet se 49 personat që ishin në bord, kanë humbur jetën.
Dyshohet se shkaku mund të jetë gabim i ekuipazhit ose një defekt teknik.
“Gjatë operacioneve të kërkimit, helikopteri Mi-8 i Administratës Federale të Aviacionit zbuloi trupin e djegur të aeroplanit. Shpëtuesit po përpiqen të arrijnë në vendin e incidentit”, thuhet në deklaratën zyrtare të autoriteteve.
Deri më tani, helikopteri me shpëtimtarët nuk ka arritur të ulet në zonën e rrëzimit, ku ka shpërthyer një zjarr.
Kujtojmë që aeroplani i pasagjerëve An-24 që fluturonte nga Blagoveshchensk në aeroportin Tida, në rajonin në kufi me Kinën, u zhduk nga radari këtë të enjte.
Antonov An-24 janë disa nga aeroplanët më të vjetër për pasagjerë, që ende janë në përdorim në botë. Prodhimi i tij serik filloi në fillim të viteve 1960. Sipas raportimeve të mediave, vetë aeroplani ishte i vjetër gati 50 vjet. Megjithatë, licenca e tij ishte ende e vlefshme deri në vitin 2036.
