Dialogu dhe konsultimet, rruga për të menaxhuar dallimet

TË FUNDIT

Marrëdhëniet ekonomike-tregtare ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara kanë përjetuar ulje-ngritje përgjatë viteve, por të dy vendet mbeten partnerë të rëndësishëm për njëri-tjetrin, theksoi Wang Wentao , ministri kinez i tregëtisë në një konferencë shtypi. 

Me gjithë rënien e pjesës që zë tregtia dypalëshe në vëllimin e përgjithshëm të tregtisë së të dy vendeve, përsëri tregtia kino-amerikane ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme, shtoi ai. 

Sipas ministrit, vëllimi i tregtisë së mallrave dhe shërbimeve ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara u rrit përkatësisht me 18 dhe 34.7 për qind vjet në krahasim me vitin 2017. Të dy vendet mbeten gjithashtu partnerë kryesorë në fushën e investimeve, dhe komunitetet e tyre të biznesit kanë ruajtur shkëmbimet e ngushta.

“Në thelb, nga marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare Kinë-ShBA përfitojnë të dy palët. Bashkëpunimi është rruga e vetme e duhur,” theksoi Wang.

Tregtia dhe investimet dypalëshe kanë shtuar gjithashtu punësimin në të dy vendet, theksoi ai.

Faktet kanë provuar që nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve të barabarta, Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë plotësisht në gjendje të menaxhojnë siç duhet dallimet dhe të punojnë për t’i trajtuar fërkimet, duke arritur rezultate me përfitime të ndërsjella, vuri në dukje Wang.

“Qëndrimi i Kinës ka qenë i vendosur në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe ruajtjen e drejtësisë dhe barazisë ndërkombëtare,” shtoi ministri.

Sipas tij, Kina është e gatshme të punojë me ShBA-në për të forcuar dialogun dhe komunikimin, për të zgjeruar bazën e përbashkët, për të pakësuar keqkuptimet, për të shtuar bashkëpunimin dhe për t’i drejtuar së bashku marrëdhëniet ekonomike e tregtare dypalëshe në rrugën e duhur të zhvillimit të shëndetshëm, të qëndrueshëm e të vazhdueshëm.