Në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët votojnë sot nëse duan apo jo të largojnë kryetarët komunalë shqiptarë. Procesi mbahet mes thirrjeve nga Lista Serbe për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në konferencën e parë për media, bëri të ditur se të gjitha vendvotimet janë hapur.
Ato do të mbyllen në orën 19:00.
Elezi tha se “mund të ketë pasur ndonjë vonesë teknike në hapjen e ndonjë vendvotimi”, por shtoi se kjo është gjë e zakonshme.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë, që gjendet në terren, raporton se pas hapjes së vendvotimeve në Mitrovicë të Veriut askush nuk e shfrytëzoi të drejtën e votës.
Në qendrat e votimit u panë vetëm vëzhguesit zgjedhorë, por jo edhe qytetarë që votonin.
Situatë e ngjashme është edhe në Zubin Potok. Në qendrën e votimit, që gjendet në ndërtesën e komunës, sipas gazetarëve të REL-it, mëngjesin e së dielës askush nuk e shfrytëzoi të drejtën e votës.
