Nën masa të rrepta sigurie, “baroni” i drogës Gëzim Çela është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri. Pamjet janë publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në Shqipëri, nga ku shtojnë se aksioni i policisë është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Interpolin.
Ministri i brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla thotë se ky bashkëpunim po intensifikohet çdo ditë me agjencitë partnere kudo, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
“Përgëzoj Policinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë disamujor që u finalizua me ekstradimin e kreut të një organizate kriminale, i cili ishte i prej shumë vitesh i kërkuar nga drejtësia. Ky bashkëpunim po intensifikohet çdo ditë me agjencitë partnere kudo, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, shkruan Balla.
Më 27 shkurt, ministria e Drejtësisë në Shqipëri njoftoi se Kosova kishte pranuar kërkesën për ekstradim.
Gëzim Çela u arrestua më 9 dhjetor të vitit të shkuar pasi doli në përgjimet e operacionit të prokurorisë, “Flakë në det”.
Nga ky aksion u godit një grup kriminal që përdorte gomone të fuqishme për të shkëmbyer kanabis me kokainë në mes të detit.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, gjashtë trafikantët dogjën edhe velierën e tyre, për të fshehur gjurmët.
