Porti i Pireut është një projekt simbol i ndërtimit të përbashkët nga Kina e Greqia të “Një brez, një rrugë”. Në vitin 2014 COSCO-ja hapi “Ekspresin tokësor-detar ndërmjet Kinës dhe Evropës”, i cili lidh në Evropë Rrugën Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të dhe Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit, duke përfshirë 71 milionë banorë në nëntë vende të Evropës Qendrore e Lindore.

Dr. George Tzogopoulos, bashkëpunëtor i vjetër shkencor në Fondacionin Helenik për Politikën Evropiane dhe të Jashtme të Greqisë shprehet lidhur me këtë se : “Një nga karakteristikat më të rëndësishme të këtyre investimeve është që ato nuk kufizohen vetëm në Greqi e Kinë, duke favorizuar një numër vendesh anembanë botës dhe kompani të vendeve të tjera.
“Një brez, një rrugë” vjen nga Kina dhe i përket botës. Gjatë 10 vjetëve pas paraqitjes së kësaj nisme, Kina ka nënshkruar mbi 230 dokumente bashkëpunimi me më shumë se 150 vende e 30 organizata ndërkombëtare dhe ka zbatuar mbi 3000 projekte bashkëpunimi. Vendet pjesëmarrëse kanë pasur zhvillim ekonomik e shoqëror dhe popujt e tyre kanë pasur përfitime konkrete.

Trenat e mallrave Kinë-Evropë janë bërë një markë simbol e ndërtimit të përbashkët të “Një brez, një rrugë”. Sipas të dhënave të fundit, gjatë dhjetë vjetëve këta trena kanë kryer 78 mijë udhëtime, duke transportuar 7.4 milionë kontejnerë standardë me mallra me një vlerë të përgjithshme mbi 340 miliardë dollarë amerikanë në mbi 200 qytete të 25 vendeve e rajoneve evropiane. Duisburgu është nyja e trenave të mallrave Kinë-Evropë, me vëllimin më të madh të ngarkim-shkarkimit. Ky qytet evropian i industrisë tradicionale u rigjallërua falë këtyre trenave.
Në Forumin e 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë”, që porsa u mbyll, Kina paraqiti tetë veprime në përkrahje të ndërtimit të përbashkët cilësor të “Një brez, një rrugë”, duke përfshirë formimin e rrjetit trepërmasor të ndërlidhjes, ndërtimin e ekonomisë së hapur botërore dhe nxitjen e zhvillimit të gjelbër e novacionit teknologjik, shkruan CMG.

Enriko Ceko, drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillimin e Vazhdueshëm thekson se :“Sipas Raportit të Bankës Botërore mbi Ekonominë ‘Një brez, një rrugë’, me t’u zbatuar kjo nismë në mënyrë të gjithanshme, palët pjesëmarrëse do të kenë një rritje të tregtisë së jashtme prej mbi 4.1 për qind. Parashikohet se deri në vitin 2030, ndërtimi i përbashkët i ‘Një brez, një rrugë’ do t’i sjellë mbarë globit 1.6 trilionë dollarë amerikanë përfitime shtesë në vit.
