Ndihmat duhet të dërgohen shpejt në Gazë, thotë Guterres gjatë vizitës së pikës kufitare Rafah

TË FUNDIT

Kamionët me ndihma duhet të lëvizin drejt Gazës sa më shpejt që të jetë e mundur, tha sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Ai këto komente i bëri në pikëkalimin Rafah, që është pikëkalimi i vetëm që lidh Egjiptin me Rripin e Gazës.

Guterres bëri thirrje që një numër i madh i kamionëve të hyjnë në Gazë çdo ditë, duke shtuar se verifikimi i ndihmës duhet të bëhet në një mënyrë praktike dhe të shpejtë.

“Ne në mënyrë aktive po angazhohemi me të gjitha palët që të sigurohemi që hiqen ndalesat për dërgimin e ndihmës”, tha ai.

Pas sulmit vdekjeprurës të grupit militant palestinez, Hamas, ndaj Izraelit më 7 tetor, ky i fundit rrethoi Gazën dhe bllokoi dërgesat e ujit, ushqimeve dhe karburanteve.

Por, pas vizitës së presidenti amerikan, Joe Biden, në Tel Aviv më 18 tetor, Izraeli u pajtua që të lejojë ndihmat të shkonin në Gazë.

Megjithatë, ndihmat e grumbulluara në Egjipt për Gazën ende nuk janë lejuar që të kalojnë pikën kufitare në Rafah për 2.3 milionë palestinezët në Rripin e Gazës.