Kosova ndalon prodhimin dhe përdorimin e qeseve plastike

TË FUNDIT

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, ka thënë të enjten se në Kosovë do të ndalohet prodhimi i qeseve të plastikës nga 0 deri në 25 mikronë.

Ai ka thënë se qeset e holla të plastikës, të cilat përdoren aktualisht dhe mund të merren nëpër markete, do të ndalohen plotësisht.

“Nga zero deri në 25 mikron do të lejohen vetëm qeset të cilat përdoren për fruta, të cilat nuk do t’i kenë mbajtëset. Ndërsa për qeset nga 25 deri në 50 mikron do të lejohet përdorimi i tyre, do të kushtojnë pesë centë, por nuk do të lejohen që të kenë logo të prodhuesve, apo logo reklamuese”.

Në një konferencë për media, Aliu ka thënë se për qeset biodegraduese dhe të kompostueshme të çfarëdo madhësie dhe trashësie, me certifikatë përkatëse, që vërteton se qeset janë nga materiali i biodegradueshëm, nuk do të vendoset çmim minimal.

“Për qeset e plastikës me mbajtëse deri në 50 mikron nuk do të vendoset çmim minimal dhe as tarifë”.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor në të cilin qeset e plastikës për një përdorim ofrohen falas për konsumatorët.