Uragani Hilary i afrohet Kalifornisë Jugore, shpallet gjendja e jashtëzakonshme

TË FUNDIT

Uragani Hilary pritet të godasë Kaliforninë Jugore të dielën, e konsideruar një stuhi e rrallë tropikale. Banorët po evakuohen, teksa uragani prite të sjellë përmbytje, erëra të forta dhe rrebeshe.

Hilary tani është një stuhi e kategorisë 1 që fryn erëra maksimale prej afro 90 milje në orë, ndërsa shkon drejt San Diegos. Uragani pritet të dobësohet në një stuhi tropikale përpara se të arrijë në SHBA, por ka të ngjarë të ketë ende një goditje të fuqishme në jugperëndim, me përmbytje “katastrofike dhe kërcënuese për jetën”, sipas qendrës së uraganeve.

Stuhia parashikohet të derdhë 7 deri në 15 centimera. Më e keqja pritet të dielën deri të hënën.

Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom shpalli një gjendje të jashtëzakonshme për një pjesë të madhe të Kalifornisë Jugore për të mbështetur reagimin ndaj uraganit dhe përpjekjet për rimëkëmbjen.

“Ne po mobilizojmë të gjithë qeverinë ndërsa përgatitemi dhe reagojmë ndaj kësaj stuhie të paprecedentë“, tha Newsom. Një paralajmërim uragani është në fuqi në Meksikë nga Punta Abreojos në Cabo San Quintin, një shtrirje rreth 300 milje përgjatë bregut perëndimor të Gadishullit Baja të Kalifornisë.

“Përmbytje të shpejta dhe urbane, lokalisht katastrofike, priten, veçanërisht në pjesët veriore të gadishullit”, tha Qendra Kombëtare e Uraganeve.

Megjithëse Hilary parashikohet të lëvizë në veri nga Baja California në Kaliforninë Jugore të dielën pasdite, ndikimet e saj do të ndihen më herët.

“Përgatitjet për ndikimet e përmbytjeve që lidhen me Hilary duhet të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi reshjet e dendura do të fillojnë shumë përpara qendrës”, tha qendra e uraganeve.

Nëse Hilary zbret në Kaliforni si një stuhi tropikale, do të ishte stuhia e parë e tillë në shtet në gati 84 vjet, sipas të dhënave nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike. Banorët e komuniteteve të kontesë San Bernardino të Oak Glen, Forest Falls, Mountain Home Village, Angelus Oaks dhe Northeast Yucaipa u urdhëruan të evakuoheshin./ CNN