Parlamenti i Izraelit miraton ligjin për reformën në drejtësi, përleshje dhe protesta

TË FUNDIT

Pavarësisht manifestimeve më të mëdha në historinë e Izraelit, parlamenti miratoi ligjin kryesor të reformës në drejtësi.

Mes një debati të ashpër dhe shpeshherë të tensionuar, deputetët votuan pro ndryshimeve që kufizojnë fuqinë e Gjykatës së Lartë për të kthyer vendimet e qeverisë që konsideroheshin të paarsyeshme.

Kjo është e para e një sërë reformash shumë të kundërshtuara që po ndërmerren nga kryeministri Benjamin Netanjahu, me qëllimin e vetëm që të kufizohet pushteti i gjykatave. Përpara votimit, qindra protestues u mblodhën pranë parlamentit në Jeruzalem, si pjesë e demonstratave që kanë nisur prej javësh kundër kësaj reforme.

Policia përdori ujin me presion për të shpërndarë njerëzit e grumbulluar, ndërsa arrestoi dhe dhjetëra prej tyre.

“Erdhëm për të protestuar kundër ndryshimeve administrative në Izrael. Ne kemi frikë se po hymë në një diktaturë. Ne dëshirojmë të tregojmë me performancën tonë se si do jetë ajo. Prandaj ne jemi veshur si gjykatës dhe jemi prangosura, gjithashtu jemi lidhur me një litar që tërhiqet nga Bibi. Kjo nënkupton që Netanjahu, dëshiron të kontrollojë të gjithë gjykatësit që t’i shpëtojë drejtësisë”, tha protestuesja Galit Hermoni.

Opozita dhe kundërshtarët e reformës në drejtësi kanë paralajmëruar se ndryshimet e kërkuara rrezikojnë demokracinë në Izrael.