Bahmut: Tentimi i ukrainasve për t’i bllokuar trupat ruse në qytetin e rrënuar

TË FUNDIT

“E kam një fotografi nga llogoret e Klishçijivkas, prej ditëlindjes sime verën e kaluar, dhe dua të bëj një fotografi të re deri në fund të këtij muaji”, tha një ushtar i forcave speciale me emër ushtarak Frantsuz – “francezi” – teksa ishte nisur për një takim me njësinë e tij në këtë qytet në rajonin e Donjeckut, një vend i caktuar për luftimet e vijës së parë të frontit.

Ai po e mbronte Klishçijivkan, një qytet të vogël në jugperëndim të Bahmutit, para se ky qytet i rrënuar tashmë të pushtohej nga luftëtarët mercenarë të Wagnerit dhe forcat e tjera ruse në maj, pas shumë muajsh luftime të ashpra.

Pesë javë pasi Ukraina e nisi një kundërofensivë të shumëpritur përgjatë vijës së frontit prej më shumë se 1.000 kilometrash, që shtrihet nga rajoni afër Hersonit në jug e deri në Donbas, dhe rajonin e Harkivit në lindje, ajo tani po i përqendron forcat e saj në rimarrjen e Bahmutit, i cili e ka fituar një status simbolik përtej vlerës së vet strategjike.

Pas një qetësie njëmujore në fushëbetejë, forcat ukrainase po lëvizin përpara në anët veriore dhe jugore të qytetit, duke u përpjekur ta rrethojnë atë dhe ta shmangin përfshirjen në luftime nëpër rrugët e tij, që mund të rezultojë në humbje të mëdha.

Më 10 korrik, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, deklaroi se forcat ukrainase kishin marrë kontrollin e pjesëve të tokës së lartë pranë Bahmutit dhe po rrethonin forcat ruse duke vëzhguar hyrjet, daljet dhe lëvizjet e armikut në të gjithë qytetin – madje herë pas here duke i vënë në shënjestër ato.

Gjenerali Oleksandr Syrskiy, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, tha në një deklaratë në po të njëjtën ditë se forcat ruse në Bahmut ishin “të bllokuara” dhe se qyteti ishte “tani nën kontrollin e zjarrit të Forcave të Mbrojtjes”, duke nënkuptuar se të gjitha vendet në Bahmut janë brenda rrezes së gjuajtjes së artilerisë së Kievit.